Thursday, July 27, 2017

Limoni, thesari që kuron sëmundjet

Limoni është një prej agrumeve të Mesdheut plot shije e aromë, me ngjyra të gjalla, i jashtëzakonshëm në vlera dhe i gjithëanshëm në përdorim. 

Me gjelbërim të përhershëm e lule të bardha, limoni është pema që zbukuron kopshtet dhe ballkonet tona, por më e rëndësishmja, kjo pemë e preferuar i sjell njeriut shumë dobi shëndetësore duke e mbrojtur nga një numër shumë i madh sëmundjesh, pasi vepron si antibiotik natyral në organizmin e tij.
Si rritet pema e limonit
Pema e limonit, pëlqen klimën e butë dhe në varësi të vendit ku është mbjellë, një pemë e rritur limoni mund të japë 200 deri 1500 kokrra në vit. Varietetet e kultivuara lulëzojnë në periudha të ndryshme, prandaj limonët mund të vilen gjatë gjithë vitit.
Nuk mund të mos përmendim zonën e Rivierës Shqiptare, ku pemët e limonit janë mbjellë nëpër brezaret në shpatet e kodrave, nga ku thithin rrezet e diellit dhe prodhojnë limonë me lëng e aromë të mrekullueshme, duke e bërë edhe më të bukur bregdetin tonë mahnitës.
Për të rritur një pemë limoni, nuk ka nevojë për hapësirë. Ajo rritet lehtësisht edhe në ballkon, në një vazo, sepse është bimë dekorative shumë e këndshme. Limoni kërkon vend me diell e që nuk e rreh era, prej ku mund të marrë ngrohtësinë që i duhet. Megjithatë, nëse në dimër temperatura bie ndjeshëm, pema e vogël e limonit duhet mbuluar ose duhet futur brenda.

Vlerat ushqyese dhe shëndetësore të limonit
Nga të gjitha agrumet, frutat e limonit kanë vlera dhe veti të mrekullueshme për organizmin e njeriut. Frutat e limonit përmbajnë Vitaminë C, vitaminat e grupit B, karoten ose vitamina A, P, kripëra minerale, kalcium, kalium, hekur, magnez, mangan, fosfor, sheqer e acid citrik si dhe vaj esencial eterik në lëkurën e tij, i cili ka veti antitoksike. Prania e lartë e vitaminës C dhe flavonoideve në frutin e limonit i jep atij veti mjekësore antiseptike me efekte shëruese mjaft të veçanta, dhe e bën antioksidant shumë të rëndësishëm për pastrimin e organizmit nga radikalet e lira si dhe rritjen e sistemit imunitar.
Në 100 ml lëng limoni ka afërsisht 50 miligramë vitaminë C, e cila është rreth 60-70% e sasisë ditore të vitaminës C të rekomanduar për organizmin e njeriut, 7% të nevojave ditore të kaliumit, 1%  kalcium dhe 9% të magnezit.
Limoni është tretës i mirë për stomakun, ka veti diuretike, antipiretike, rrudhëse, dezinfektuese, tonifikuese, antikancerogjene, tretës ideal i yndyrnave, etj. Limoni ndikon në parandalimin e infarkteve, ngadalëson plakjen, mban të shëndetshëm dhëmbët si dhe duhet të theksojmë efektet e tij kundër anemisë dhe kjo i atribuohet sasisë së madhe të vitaminës C e cila favorizon përthithjen e hekurit nga organizmi, duke lehtësuar formimin e rruazave të kuqe.

Përdorimet e limonit
Lëngu i limonit përdoret për përgatitjen e limonadave, pijeve freskuese, apo pijeve të tjera me bazë limoni. Me limonin e prerë në feta ne i japim shije çajit të pasdites, sallatës së frutave dhe gatimeve tona të çdo dite, e përdorim pafund në fushën e kulinarisë, si për mishin, peshkun, sallatat, apo ëmbëlsirat.
Lëngu i limonit i pastër apo i kombinuar me përbërës të tjerë përdoret për të marinuar mishin para përgatitjes. Acidi, i cili gjendet në lëngun e limonit hidrolizon fibrat e kolagjenit të fortë të mishit duke e bërë më të shijshëm gjatë konsumimit. Peshqit i spërkasim me lëng limoni për t'iu neutralizuar aromën.
Me lëngun e limonit në mëngjes shoqëruar edhe me 1 lugë mjaltë, ne fillojmë ditën shëndetshëm dhe plot energji.
Nga lëkura e limonit nxirret një vaj esencial, i cili përdoret në industritë ushqimore, farmaceutike, kozmetike etj.
Në vend të një solucioni me klor për të hequr njollat, ne fare mirë mund të përdorim lëngun e limonit kombinuar me pak sodë buke.
Gjithashtu, një gjysmë limoni në frigorifer, mikrovalë, a në lavastovilje, neutralizon erërat e pakëndshme dhe përhap aromë të freskët.   

No comments:

Post a Comment