Thursday, August 31, 2017

Po vjen vjeshta! 10 frutat e perimet e kësaj stine.


Bëhuni gati sepse 1 ditë na ndan nga vjeshta, dhe me ardhjen e kësaj stine,vijnë dhe frutat e perimet e vjeshtës të cilat janë burim i shkëlqyer i vitaminave dhe ndihmojnë për një trup e mendje të shëndoshë. Ato na ndihmojnë të jemi të shëndetshëm dhe të ruajmë temperaturën e trupit, ndërsa moti ftohet.Vjeshta është një nga stinët me më shumë bollëk, në këtë kohë vilen pjesa më e madhe e frutave. Çfarë ju rekomandojmë ne?




1. Mollët. Përveç se të shijshme ato janë të pasura me anti-oksidantë, veçanërisht me vitaminë C e cila ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe zvogëlon rrezikun e kancerit. Gjithashtu, ato janë të pasura me pektinë e cila zvogëlon shansin e sëmundjeve kardiovaskulare.Mollët permbajne rreth 85% ujë, 10% sheqer (më shumë se gjysma fruktoze) dhe fibra si pektina, shumë vitamina dhe potas.
 
2. Kungujt. Kungulli i verdhë është një burim i shkëlqyer i vitaminës A. Gjithashtu përmban fitosterole të cilat luftojnë kolesterolin e keq si dhe beta-karoten i cili lufton radikalet e tjera.Shija e ëmbël dhe përmbajtja e lagësht e bëjnë ideal për pite, ëmbëlsira, madje edhe për buding. Është i pasur me kalium, fibra dhe vitamina B. Sezonin e ka nga tetori deri në shkurt.

3. Fiqtë. Janë burim i shkëlqyer fibrash të cilat ndihmojnë në uljen e kostelerolit, rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak, parandalojnë kapsllëkun dhe ju japin ndjesinë e ngopjes, duke luftuar urinë. Janë të pasur gjithashtu me kalium, i cili ndihmon në kontrollin e presionit të gjakut.Në pranverë-vjeshtë mblidhen fiqtë “e plotë” deri në verë vonë, ndërsa në tetor fiqtë e lashtë.

4. Lulelakra. Mos u zhgënjeni nga ngjyra; kjo perime e bardhë ka po aq vlera sa dhe perimet me gjethe jeshile të errët. Është burim i shkëlqyer i vitaminës C dhe K e cila rregullon reagimin inflamator. Gjithashtu është thelbësore për çdo njeri, pasi përmirëson mënyrën e të menduarit dhe të konceptuarit duke parandaluar çrregullimet nervore.

5. Panxharët e kuq. Janë perime që nuk duhet t’i mungojnë stinës. Ato përmbajnë një fitonutrient që quhet belatain dhe ka veti antioksidante dhe antiinflamatore. Gjithashtu janë të pasur me folate, kalium dhe mangan i cili ndihmon në absorbimin dhe kalciumit dhe koagulimin e gjakut.

6. Dardhët. Janë një burim i mirë fibrash të cilat ndihmojnë kontrollin e sheqernave në gjak dhe në uljen e kolesterolit. Ndihmojnë në mirëfunksionimin e mushkërive dhe pakësojnë rrezikun e astmës së mushkërive. Dardha përmban 85% ujë, 9% sheqer, fibra, minerale si potasi, vitamina, flavonoide dhe acide organike të dobët që luftojnë veprimin
acidifikues që lidhet me ngrenien e ushqimeve me prejardhje shtazore.Piqen plotësisht në temperaturë ambienti si dhe ruhen në frigorifer deri në çastin e ngrënies.Sezonin e kanë nga gushti deri në shkurt.

7.Hurma. Një nga frutat më të mira të vjeshtës është hurma me prejardhje nga Kina dhe Japonia. Hurmat janë fruta që përmbajnë energji, janë të përshtatshme për fëmijët, të moshuarit dhe personat që ushtrojnë sport. Konsumi i hurmës nuk është i rekomanduar për njerëzit që vuajnë nga diabeti apo obeziteti, por rekomandohet në rast të humbjes së oreksit, stresit fizik, lodhjes.

8.Rrushi. Rrushi konsiderohet si mbreti i frutave për shkak të vetive kuruese që ka. Rrushi( i kuq, i bardhë, i zi) të mbron nga sëmundjet e zemrës. Ai mbron nga keqtretja e stomakut, temperatura, sëmundjet e mëlçisë, hemorroidet, osteomieliti,kanceri si dhe sëmundje të tjera. Rrushi përmban 80% ujë dhe është shumë i pasur në sheqerna. Duhet të ruhet në frigorifer dhe të lahet me kujdes para ngrënies.


9.Shega. Kjo frutë e thartë është e pasur përplot me antioksidues. Lëngu është bazë e mirë për marinada, kurse frutat mund t’u shtohen sallatave që të forcojnë shijen. Një studim i bërë ka treguar se lëngu i shegës ka nivel më të lartë të antioksiduesve sesa vera e kuqe. Është burim i mirë i vitaminës C dhe acidit folik. Sezonin e ka nga gushti deri në dhjetor.

10.Ftoi. Ndryshe edhe “Mbreti i vjeshtës”.Ai përmban vitamina A dhe C, sheqer, pektinë, acide, kripëra minerale, si kalium etj. Ftoi është i pasur me lëndë aromatike, të cilat ia shtojnë vlerën.Ftoi përdoret i freskët apo në formë të kompostos, si reçel, si marmelatë, si dhe për t’i dhënë shije (aromë dhe qëndrueshmëri) marmelatës së mollës, dardhës dhe të frutave të tjera. Për qëllime mjekësore përdoren bërthamat e thata, gjethet dhe fruti.

No comments:

Post a Comment