Wednesday, September 13, 2017

Ushqimet Kuruese Kundër Migrenës

Keni vazhdimisht dhimbje koke dhe nuk dini si ta zgjidhni këtë problem? Ka shumë produkte natyrale për të parandaluar dhe lehtësuar dhimbjet e kokës. Është mirë të dihet se ushqimi merr një rol të rëndësishëm, madje edhe për sa i përket parandalimit. Disa ushqime mund të ndihmojnë, veçanërisht nëse vuani nga dhimbjet e vazhdueshme të kokës. Po rendisim disa produkte natyrale që mund të përpiqeni të shtoni në listën tuaj të blerjeve dhe t'i sillni në tryezën tuaj më shpesh.


Patate
Dhimbjet e kokës në disa raste shkaktohen nga një mangësi kaliumi. Këshilla është përgatitja e çdo lloj recete me patate që nga forma e puresë deri tek patatet sallatë ose të furrës. 

Shalqi 
Në shumë raste, shkaqet e dhimbjes së kokës janë nga dehidratimi. Për këtë arsye, mund të jetë e dobishme të konsumoni ushqime të pasura me ujë, siç është shalqini. Uji natyral i pranishëm tek fruta dhe perime, si përmban minerale esenciale si magnez për parandalimin e dhimbjeve të kokës. 

Bajame 
Bajamet janë një nga burimet më të rëndësishme të magnezit. Sipas ekspertëve, magnezi është shumë i dobishëm për relaksimin e tensionit që mund të ndikojë në enët e gjakut dhe të shkaktojë dhimbje koke. 

Farat e susamit 
Farat e susamit janë të pasura me vitaminë E që përmirëson qarkullimin e gjakut dhe kjo është e dobishme, për të parandaluar dhimbjet e kokës, sidomos ato të vazhdueshmet. 

Spinaqi 
Spinaqi ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe lehtësimin e dhimbjeve të kokës. Për të parandaluar dhimbjen, përdorni vazhdimisht gjethe të freskëta spinaqi, në vend të sallatës jeshile për të përgatitur sallatat tuaja. 

Banane 
Midis burimeve për parandalimin dhe luftimin e dhimbjes së kokës është edhe vitamina B6, e cila është e pranishme tek banane dhe që ndihmon në rritjen e nivelit të serotoninës në tru, duke ulur mërzitjen dhe stresin. Kjo ndikon shumë në zvogëlimin e ndjenjës së dhimbjes. Vitamina B6 gjithashtu është e dobishme në parandalimin e lodhjes mendore. 

Fara Lini 
Farat e linit janë të lidhur me përfitime të shumta shëndetësore për shkak të pasurisë së tyre me Omega3. Këto substanca ndihmojnë në luftën kundër migrenave dhe kanë veti shëruese. Këshilla është që të shtoni fara lini tek drithërat e mëngjesit ose tek sallatat dhe supat tuaja. 

Specat Djegës 
Ata që e duan shijen pikante do ta kenë shumë të lehtë pasi specat djegës konsiderohen një ushqim i dobishëm për të luftuar dhimbjen e kokës. Efektet pozitive të specave djegës janë të dobishme jo vetëm në rastin e dhimbjeve të kokës, por edhe për dhimbjet e shpinës ose të dhëmbëve. 

Misri 
Misri është tejet i dobishëm për të parandaluar dhimbjen e kokës falë përmbajtjes së vitaminës B3. Kjo substancë, në fakt, mbështet funksionin e enëve të gjakut, qetëson nervat dhe bën mrekulli për dhimbjet e kokës.

Thursday, September 7, 2017

Vaji i Sherebelës në kushte shtëpie!

Ekspertët e bimëve mjekësore kanë vlerësimet më të mira për vajin esencial të sherebelës dhe aftësitë kuruese e shëruese të tij kundër mykut, mikrobeve, inflamacionit dhe baktereve. Ai luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e lëkurës, pastrimin e saj, tretjen dhe uljen e temperaturës.


Përbërësit
2 filxhanë me vaj gatimi (vaji i ullirit është një alternativë e mirë për t'u provuar, por mund të zgjidhni edhe vajra të tjerë)
2 filxhanë me gjethe sherebele
Një kavanoz të madh qelqi me kapak
Shishe qelqi
Rreth 30 kokrra piper

Udhëzimet
Lajini dhe thajini gjethet e sherebelës dhe futini në kavanozin e qelqit. Shtoni 20 kokrra të grira të piperit të zi. Hidhni sipër tyre vajin e ngrohur pak dhe mbulojini gjethet mjaftueshëm. Shtypini me një lugë druri deri sa të jeni mbuluar me vajin që keni përzgjedhur. Lëreni vajin të ftohet dhe më pas mbylleni kapakun e kavanozit.
Vendoseni kavanozin në një vend të errët e të freskët për 2 deri në 3 javë. Kontrollojeni aromën e vajit është është e ndezur mjaftueshëm për shijet tuaja. Tre javë është maksimumi i ruajtjes së kavanozit me vajin e sherebelës në një vend të errët dhe të ftohtë. Gjatë kësaj periudhe duhet ta tundni kavanozin tre ose katër herë në javë për të përmirësuar procesin e tretjes. Pas 2 ose 3 javësh, kullojeni vajin dhe vendoseni në enën përfundimtare duke shtuar 10 kokrrat e mbetura të piperit të zi.

Këshilla
Nëse nuk keni gjethe mjaftueshëm përdorni degët e sherebelës të cilat prodhojnë një shije dhe aromë më të fortë dhe që i përngjan rrëshirës.
Këputeni sherebelën në mëngjes pas avullimit të vesës por përpara mesditës. Shpëlajini gjethet me ujë të bollshëm dhe vendosini në një shtresë me letër kuzhine.
Ngroheni vajin që do të përdorni mjaftueshëm sa të lejoni gjethet e sherebelës që të çlirojnë vajrat e tyre esencialë. Nëse vaji është i nxehtë, gjethet do të piqen.
Ngrohja e vajit bëhet mirë në një temperaturë prej 40 gradë Celcius. Pasi tretja ka përfunduar, hiqini gjethet nga vaji që të ruani nivelin e mirë të aromës dhe shijes.
Gjethet e lëna për gjatë do të rrisin intensitetin e aromës. Sherebela ia arrin të mposhtë shumë shije të ndryshme, ndaj një lugë gjelle prej këtij vaji është e mjaftueshme.

Vlerat shëndetsore të vajit esencial të sherebelës
  • Lufton mykun, mikrobet dhe bakteret. Ai është efikas kundër një sërë infeksioneve të lëkurës, plagëve, ose të çarave që shkaktohen nga infeksione të rrezikshme.
  • Antioksidant. Vaji esencial përdoret gjërësisht në trajtimet e lëkurës kundër plakjes. Ai është i pasur me antioksidantë të cilët luftojnë radikalet e lira në organizëm të cilët shkaktojnë edhe plakjen e parakohshme.
  • Kundër inflamacionit. Vaji i sherebelës lufton inflamacionin në lëkurë, inflamacionin e shkaktuar prej etheve dhe largon toksinat që futen në gjak.
  • Ndihmon me tretjen. Vaji i sherebelës lehtëson stomakun dhe përmirëson funksionet e të gjithë sistemit tretës kundër inflamacionit të shkaktuar nga aciditeti i tepërt.
  • Ka efekt pastrues. Vaji esencial i sherebelës përshpejton largimin e toksinave nga gjaku nëpërmjet djersitjes dhe pastron gjakun duke shërbyer kështu si një pastrues efikas i organizmit.
  • Stimulon ciklin menstrual. Ky vaj esencial ndihmon femrat gjatë ciklit menstrual. Ai aktivizon disa hormone si estrogjeni dhe ofron lehtësim nga probleme të tilla si dhimbjet e kokës, lodhja, të vjellat, plogështia, depresioni, luhatjet e humorit dhe simptoma të tjera të shkaktuara gjatë ciklit.

Tuesday, September 5, 2017

Kanella, jo vetëm aromë e mirë!

Aroma karakteristike e kanellës për shumëkënd lidhet me aromën e biskotave e ëmbelsirave, por jo shumë e dinë se kanella nuk është vetëm një shtesë e shijshme për ëmbëlsirat, por edhe një ilaç natyral.
Kanella është një burim i madh i vitaminave dhe mineraleve, përmban kalcium, hekur, mangan, vitaminë C dhe K, si dhe fibra dietetike. Ja pse duhet më shpesh të konsumoni kanellë:



- Rrit imunitetin: Kombinimi i mjaltit dhe kanellës për shumë vite përdoret si një ilaç natyral. Një lugë çaji mjaltë dhe një e katërta lugë çaji kanellë të tretura në një gotë me ujë të ngrohtë e rrit imunitetin dhe mbron trupin kundër viruseve dhe baktereve.

- Stimulon trurin:
Studimet kanë treguar se aroma e kanellës mund të përmirësojë aftësitë njohëse, kujtesën, kryerjen e detyrave të caktuara dhe të provokojë vigjilencë dhe përqendrim. Një sugjerim i mirë është për të marrë qirinj me parfum kanelle.

- Ul nivelin e sheqerit dhe të kolesterolit në gjak
: Një studim i kryer në vitin 2003 tregoi se përdorimi i rregullt i kanellës mund të zvogëlojë nivelin e sheqerit dhe kolesterolit të keq (LDL). Studimi përfshiu njerëzit me diabet të tipit 2 që kanë konsumuar 1 deri 6 gramë kanellë në ditë. Kolesteroli i tyre u zvogëlua me 18 për qind dhe niveli i sheqerit në gjak me 24 për qind.

- Zvogëlon dhimbjet menstruale: Gratë që vuajnë nga dhimbje të forta menstruale duhet të rrisin sasinë e konsumimit të kanellës. Me përdorim të rregullt, kjo erëzë ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve.

- Rrit nivelin e energjisë dhe përmirëson qarkullimin:
Ndiheni të lodhur dhe pa energji? Pini një filxhan çaj frutash me ¼ lugë kanellë. Përveçse kjo përzierje provokon vitalitetin, përmirëson edhe qarkullimin. Kjo është veçanërisht e dobishme për njerëzit që kanë gjithmonë këmbët e ftohta.

- Eliminon urinë: Kanella rregullon sheqerin në gjak dhe për këtë arsye eliminon ngacmimet e urisë. Dietologët rekomandojmë një meze të lehtë me molla të pjekura, duke i hedhur sipër kanellë. Kombinimi i kanellës dhe mollëve ka shumë përparësi. Është dëshmuar se njerëzit, të cilët rregullisht konsumojnë mollë me kanellë kanë më pak yndyrë në bark.

- Ka efekt pozitiv në lidhje me kapsllëkun: Kanella është një burim i shkëlqyer i fibrave dietetike, e cila ndihmon njerëzit që vuajnë nga kapsllëku, si dhe gjithashtu ndihmon në rastin e sindromës së zorrëve të acaruara. Besohet se futja e rregullt e sasive të vogla të kanellës ka një ndikim pozitiv kur kemi të bëjmë me gazrat në stomak.

Kanella, kundërindikimet
Përdorimi i tepërt i çdo substancë mund të krijojë probleme dhe kanella nuk bën përjashtim. Kushtojini gjithmonë vëmendje dozave që përdorni në ushqime dhe mbi të gjitha mos abuzoni me vajin esencial.  Vaji esencial nuk duhet të aplikohet mbi lëkurën e fëmijëve nën moshën 2 vjeç dhe tek femrat shtatzënë për të evituar dëmet tek fetusi. Si përdorimi sipërfaqësor ashtu dhe ai ushqimor mund të favorizojnë në shfaqjen e alergjive. Si gjithmonë, përbërësi i parë është moderimi
.


Thursday, August 31, 2017

Po vjen vjeshta! 10 frutat e perimet e kësaj stine.


Bëhuni gati sepse 1 ditë na ndan nga vjeshta, dhe me ardhjen e kësaj stine,vijnë dhe frutat e perimet e vjeshtës të cilat janë burim i shkëlqyer i vitaminave dhe ndihmojnë për një trup e mendje të shëndoshë. Ato na ndihmojnë të jemi të shëndetshëm dhe të ruajmë temperaturën e trupit, ndërsa moti ftohet.Vjeshta është një nga stinët me më shumë bollëk, në këtë kohë vilen pjesa më e madhe e frutave. Çfarë ju rekomandojmë ne?




1. Mollët. Përveç se të shijshme ato janë të pasura me anti-oksidantë, veçanërisht me vitaminë C e cila ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe zvogëlon rrezikun e kancerit. Gjithashtu, ato janë të pasura me pektinë e cila zvogëlon shansin e sëmundjeve kardiovaskulare.Mollët permbajne rreth 85% ujë, 10% sheqer (më shumë se gjysma fruktoze) dhe fibra si pektina, shumë vitamina dhe potas.
 
2. Kungujt. Kungulli i verdhë është një burim i shkëlqyer i vitaminës A. Gjithashtu përmban fitosterole të cilat luftojnë kolesterolin e keq si dhe beta-karoten i cili lufton radikalet e tjera.Shija e ëmbël dhe përmbajtja e lagësht e bëjnë ideal për pite, ëmbëlsira, madje edhe për buding. Është i pasur me kalium, fibra dhe vitamina B. Sezonin e ka nga tetori deri në shkurt.

3. Fiqtë. Janë burim i shkëlqyer fibrash të cilat ndihmojnë në uljen e kostelerolit, rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak, parandalojnë kapsllëkun dhe ju japin ndjesinë e ngopjes, duke luftuar urinë. Janë të pasur gjithashtu me kalium, i cili ndihmon në kontrollin e presionit të gjakut.Në pranverë-vjeshtë mblidhen fiqtë “e plotë” deri në verë vonë, ndërsa në tetor fiqtë e lashtë.

4. Lulelakra. Mos u zhgënjeni nga ngjyra; kjo perime e bardhë ka po aq vlera sa dhe perimet me gjethe jeshile të errët. Është burim i shkëlqyer i vitaminës C dhe K e cila rregullon reagimin inflamator. Gjithashtu është thelbësore për çdo njeri, pasi përmirëson mënyrën e të menduarit dhe të konceptuarit duke parandaluar çrregullimet nervore.

5. Panxharët e kuq. Janë perime që nuk duhet t’i mungojnë stinës. Ato përmbajnë një fitonutrient që quhet belatain dhe ka veti antioksidante dhe antiinflamatore. Gjithashtu janë të pasur me folate, kalium dhe mangan i cili ndihmon në absorbimin dhe kalciumit dhe koagulimin e gjakut.

6. Dardhët. Janë një burim i mirë fibrash të cilat ndihmojnë kontrollin e sheqernave në gjak dhe në uljen e kolesterolit. Ndihmojnë në mirëfunksionimin e mushkërive dhe pakësojnë rrezikun e astmës së mushkërive. Dardha përmban 85% ujë, 9% sheqer, fibra, minerale si potasi, vitamina, flavonoide dhe acide organike të dobët që luftojnë veprimin
acidifikues që lidhet me ngrenien e ushqimeve me prejardhje shtazore.Piqen plotësisht në temperaturë ambienti si dhe ruhen në frigorifer deri në çastin e ngrënies.Sezonin e kanë nga gushti deri në shkurt.

7.Hurma. Një nga frutat më të mira të vjeshtës është hurma me prejardhje nga Kina dhe Japonia. Hurmat janë fruta që përmbajnë energji, janë të përshtatshme për fëmijët, të moshuarit dhe personat që ushtrojnë sport. Konsumi i hurmës nuk është i rekomanduar për njerëzit që vuajnë nga diabeti apo obeziteti, por rekomandohet në rast të humbjes së oreksit, stresit fizik, lodhjes.

8.Rrushi. Rrushi konsiderohet si mbreti i frutave për shkak të vetive kuruese që ka. Rrushi( i kuq, i bardhë, i zi) të mbron nga sëmundjet e zemrës. Ai mbron nga keqtretja e stomakut, temperatura, sëmundjet e mëlçisë, hemorroidet, osteomieliti,kanceri si dhe sëmundje të tjera. Rrushi përmban 80% ujë dhe është shumë i pasur në sheqerna. Duhet të ruhet në frigorifer dhe të lahet me kujdes para ngrënies.


9.Shega. Kjo frutë e thartë është e pasur përplot me antioksidues. Lëngu është bazë e mirë për marinada, kurse frutat mund t’u shtohen sallatave që të forcojnë shijen. Një studim i bërë ka treguar se lëngu i shegës ka nivel më të lartë të antioksiduesve sesa vera e kuqe. Është burim i mirë i vitaminës C dhe acidit folik. Sezonin e ka nga gushti deri në dhjetor.

10.Ftoi. Ndryshe edhe “Mbreti i vjeshtës”.Ai përmban vitamina A dhe C, sheqer, pektinë, acide, kripëra minerale, si kalium etj. Ftoi është i pasur me lëndë aromatike, të cilat ia shtojnë vlerën.Ftoi përdoret i freskët apo në formë të kompostos, si reçel, si marmelatë, si dhe për t’i dhënë shije (aromë dhe qëndrueshmëri) marmelatës së mollës, dardhës dhe të frutave të tjera. Për qëllime mjekësore përdoren bërthamat e thata, gjethet dhe fruti.

Monday, August 28, 2017

Vaji i arrës së kokosit,vaji i mrekullirave!

Arra e kokosit nuk ka qenë aq popullore në Shqipëri, por tani mund ta gjeni në çdo dyqan ose treg.Arra e kokosit është një ushqim funksional i pasur me vitamina, minerale dhe fibër, shtyllat kryesore për të pasur një shëndet perfekt.
Vaji i arrës së kokosit ka vlera të shumta për shëndetin e njeriut si në profilaksi, ashtu edhe në kurimin e mjaft sëmundjeve, veçanërisht për lëkurën. Tashmë nga mjekësia moderne ajo konsiderohet si “vaji që bën mrekullitë”.

Vaji i arrës së kokosit në veçanti ka aftësi mbrojtëse nga viruset, bakteret, infeksionet, kanceri, tiroidja, sëmundjet e trurit dhe të zemrës, zbukuron lëkurën dhe djeg yndyrnat. Ndonëse në thelb, vaji i kokosit është një yndyrë e ngopur, ajo është plot e përplot me vlera shëndetësore dhe nuk rrit kolesterolin, lufton obezitetin, sëmundjet e zemrës dhe bën mrekullira.


Përftimet e vajit të kokosit:

  • Redukton peshën trupore dhe shkrin yndyrat.
  • Përmirëson metabolizmin; Forcon sistemin imunitar.
  • Vret mikrobet që shkaktojne ulcera, acarime fyti, acarime në rrugët urinare, sëmundje të mishrave të dhëmbëve dhe kavitete, pneumoni, gonorre, etj.
  • Parandalon diabetin nëpërmjet stabilizimit të sheqerit në gjak.
  • Parandalon osteoporozën. 
  • Parandalon kolitin dhe ulcerën e stomakut.
  • Qetëson acarimet dhe lehtëson dhimbjet e hemorroideve.
  • Parandalon tumoret e gjirit, kolonës dhe tumoret e tjera.
  • Redukton kolesterolin dhe ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
  • Jep energji të shtuar dhe e mbron trupin nga lodhja dhe këputja. E mban organizmin gjithmonë të tonifikuar dhe ruan e shton masën muskulore.
  • Kuron epistaksin (gjakrrjedhjen nga hundët);
  • Kuron çrregullimet menstruale;
  • Kuron migrenën;
  • Lufton astmën tek fëmijët;
  • Përmirëson laktacionin tek nënat me fëmijë në gji;
  • Lufton autizmin;
  • Përmirëson qarkullimin e gjakut;
  • Kuron refluksin ezofageal;
  • Është analgjezik për dhimbjet e shpinës;
  • Kuron artritet dhe sëmundjet reumatizmale;
  • Mbron veshkat dhe fshikëzën e urinës nga sëmundjet si dhe shkrin gurët në veshka.
  • Çliron stresin dhe çlodh trurin

Arra e Kokosit në kuzhinë 
Përdorimet dhe vlerat e Arrës së Kokosit vazhdojnë të na befasojnë sidomos në kuzhinë. Avantazhet shëndetësore të saj dhe nivelet e ulëta të glicemisë e bëjnë Arrën e Kokosit perfekte për të zëvëndësuar kremrat, gjalpin, sheqerin e përpunuar dhe miellin. Më poshtë do të gjeni një listë produktesh që mund të zëvëndësoni me Arrën e Kokosit dhe të pregatisni ushqime.


  • Mielli i Arrës së Kokosit është praktikisht frut i tharë në formë pluhuri pa gluten, me pak karbohidrate, shumë fibër dhe ëshë ideal për pjekje. 
  • Qumështi i Arrës së Kokosit përgatitet duke përzier copëzat e freskëta të frutit të bardhë me ujë deri sa të bëhen në një masë konstante dhe më pas duke e kulluar në një napë. Lëngu kremoz i trashë që do të dalë prej andej quhet qumësht arre kokosi dhe përdoret në gatim. Kremi nga ana tjetër është qumështi pa ujin e plotë. Është më i trashë dhe më si brumë. Të njëjtin mund ta përdorni për recetat tuaja kremoze. 
  • Sheqeri i Arrës së Kokosit nxirret nga gonxhja e lules së arrës në formën e një lëngu të ëmbël të ngjashëm me shijen e sheqerit të kafenjtë me pak nuancë karameli, por me plot vitamina, minerale dhe amino acide. Sheqeri i Arrës së Kokosit mund të përdoret nga ata që vuajnë nga diabeti dhe nga njerëzit e tjerë që duan të heqin dorë nga sheqeri i përpunuar.


Tuesday, August 22, 2017

Çaji i kamomilit, të mirat shëndetësore


Një prej bimëve mjekësore më të vjetra, kamomili mendohet se është përdorur fillimisht nga Egjiptianët e lashtë. Sot gjendet në dy forma të ndryshme, të përdorura për qëllime mjekësore, Kamomili gjerman (chamomilla recutita) dhe Kamomili romak (chamaemelum nobile). 
Kjo lule që i ngjason diellit, është ndër më të përdourat dhe më të studiuarat nga mjekësia moderne. Sipas studimeve mjekësore, më shumë se një milionë filxhanë me çaj kamomili konsumohen çdo ditë në të gjithë botën. Dhe nuk është çudi përdorimi kaq masiv, kur mendon vetitë e kësaj bime. 

Kamomili shqiptar është një nga bimët mjekësore më të fuqishme si pasojë e klimës dhe cilësisë së tokave ku rritet në gjendje të egër. Kultivari mbetet po ai historik që kërkohej shumë nga tregjet e huaja edhe në vitet kur tregtia me jashtë ka qenë në krizë të plotë.

Çaji kamomil është një pije e fuqishme, në gjendje të kurojë një numër sëmundjesh. Për ju kemi sjellur disa nga përfitimet e shumta shëndetësore që i sjell trupit tuaj çaji i kamomilit:




Lufton pagjumësinë dhe vepron si qetësues

Kamomili në sasi të vogla mund të veprojë kundër pagjumësisë dhe ndjesisë së ankthit. Megjithatë efektiviteti i kamomilit si një ndihmës për gjumin ende nuk është provuar shkencërisht. Por është provuar se përbërja kimike e kamomilit ka veti qetësuese.

Ndihmon në imunitet
Sipas një studimi, konsumimi i çajit të kamomilit nxit sistemin imunitar që të luftojë bakteriet. Kjo mund të shpjegojë përdorimin e tij kur jemi të ftohur ose me grip.

Përdorimi gjatë ciklit menstrual dhe kundër tensionit
Pas pirjes së kamomilit rriten nivelet e glicinës, të cilat reduktojnë spazmat muzkulare dhe relaksojnë nervat, duke përfshirë dhe ngërçet uterine dhe tensionin, të dyja të lidhura me ciklin menstrual.

Sëmundjet tek foshnjat
Meqë kamomili relakson muskuj, qetëson stomakun e foshnjave dhe ndalon diarrenë. Ai duhet të përdoret me kujdes tek fëmijët, por ka efekt të pëlqyeshëm ndaj dhumbjes së barkut.

Problemet me lëkurën

Kur përdoret në lëkurë, kamomili mund të ndihmojë në qetësimin e acarimeve të lëkurës dhe në shërimin e plagëve. Disa studime kanë dokumentuar se ai mund të jetë aq efektive sa kremi hidrokortizon që përdoret për ekzemat.Përdorimi oral ose topikal i çajit të kamomilit ndihmojnë në qetësimin e problemeve të lëkurës si ekzema, dermatitis, urtikarjen, edhe pse rezultatet nuk janë provuar shkencërisht. Fatkeqësisht, përdorimi i kamomilit mund të shkaktojë reaksion alergjik tek disa njerëz.

Dhimbjet e gojës
Një përzjerje e çajit të kamomilit me sherebelën mund të përdoret për të qetësuar ulçerat në gojë, nëse përdoret si shpëlarës deri në 6 herë në ditë.

Ul stresin
Konsumoni kamomil për të ulur nivelin e stresit. Kamomili përmban apigenin, një përbërës që ka efekte që luftojnë ankthin. Një studim zbuloi se pacientët që përjetonin shpesh herë ankth treguan përmirësime nga marrja e ekstrakteve të kamomilit nëpërmjet kapsulave. Më efektiv se efekti që pacientët përjetuan kur morën pilula pa medikament.



Saturday, August 19, 2017

Varësia nga kafeina; efektet negative

Konsumimi i një filxhani me kafe në mëngjes mund të bëjë mrekulli për nivelet e energjisë dhe produktivitetin e punës, por çfarë ndodh nëse e pini një tjetër filxhan… pastaj një tjetër dhe një tjetër? Mund t’ju bëjë të mendoni se vetëm do të rritet niveli i energjisë, por faktikisht me këtë vendim do t’i bëni më shumë dëm vetes.

Efektet anësore negative të kafeinës së tepert:

  • ‘Vret’ aftësinë krijuese 
    Marrja e një doze të tepruar kafeine nuk e ndihmon aspak procesin krijues. Përveç kësaj, ajo nuk ju ndihmon as për të fjetur.
  • Ua bën dhëmbët të pistë
    Të pish shumë kafe, paraqet tendencën e shfaqjes së  njollave të errëta mbi dhëmbët e parë. Kjo pasi kafja dëmton smaltin e tyre.
  • Shkakton haluçinacione
    Sipas studiuesve në Shkollën Universitare të Shkencave Psikologjike, “La Trobe University”, në Australi, pirja e sasive të tepruara të kafes, mund të shkaktojë halucinacione, për të parë gjëra që nuk ekzistojnë në realitet.
  • Shkakton aritmi zemre
    Nivelet e larta të kafeinës mund të çojnë në aritmi të forta zemre. Kjo është deklaruar nga një studim i Universitetit të Modenas dhe Reggio Emilias, sipas të cilit ky është shkak për të mos e tepruar me të.
  •  Përkeqësohet sindromi premenstrual
    Sindromi premenstrual është një fazë që karakterizohet nga stresi, nervozizmi dhe ankthi para mbërritjes së ciklit menstrual tek femrat. Prandaj ju që gjatë atyre ditëve ta shmangni marrjen e kafes, sepse kafeina rrit nivelet e estrogjenit, duke plotësuar simptomat e dhimbshme tipike të këtij sindromi.
  •  Rrezikon dëmtimin e syve
    Sipas një studimi nga studiues të spitalin “Brigham & Uomen” në Boston, dozat e shtuara të kafes, mund të rrisin tensionin e syrit, duke shkaktuar probleme të tilla si shtresëzimi, një nga simptomat e hershme të glaukomas. Duke ndikuar kështu në nervat optike dhe fibrat nervore të retinës së syrit.
  •  Zvogëlon përmasat e dekoltesë
    Dekolteja juaj është e rëndësishme? Duhet të zvogëloni sasinë e përditshme të kafes. Sipas studiuesve në Universitetin e Lundit, femrat që konsumojnë 3 filxhanë kafe në ditë, kanë rrezikun të kenë një gjoks të vogël.
  •  Inkurajon celulitin
    Celuliti është një makth për gratë, prandaj ato duhet të dinë se shmangia e kafes ndikon në eliminimin e tij. E kjo, sepse teksa ngushton diametrin e enëve, zvogëlon sasinë e gjakut që arrin në periferi të trupit.
  • Nxit shfaqjen e osteoporozës
    Sipas një studimi te Universitetit te Oregon-it, kafeina nuk i bën mire kockave. Për te shmangur këtë rrezik, konsumatorët e mëdhenj te kafesë duhet të marrin sa më shumë vitaminë D.
Rekomandohet që personat e shëndetshëm në moshë madhore nuk duhet të konsumojnë më shumë se 400 mg kafeinë në ditë, ndërsa femrat shtatzënë jo më shumë se 200 gramë, ndërsa personat që vuajnë nga ankthi, pagjumësia dhe problemet urinare duhet ta reduktojnë në mënyrë të ndjeshme pirjen e saj. 

Thursday, August 17, 2017

13 ushqimet që djegin kaloritë dhe nxisin metabolizmin

Një metabolizëm i shëndetshëm dhe funksional është çelësi për arritjen e qëllimeve tuaja në humbjen e peshës. Për fat të keq, teksa mosha rritet, metabolizmi ynë ngadalësohet. Gjysma e misterit të mirëfunksionimit të metabolizmit është ushqimi që hani. Ushqimet e shëndetshme dhe nutricionale janë çelësi për rritjen e fuqisë së motorit djegës të yndyrnave të metabolizmit tuaj.

Pra, nëse doni të arrini qëllimet tuaja të humbjes së peshës, inkorporoni më shumë nga ushqimet e mëposhtme në dietën tuaj për të ndihmuar në rritjen e metabolizmit.

Kos
Kosi pa yndyrë përmban nivele të larta kalciumi dhe rreth 12 gram proteina. Niveli i lartë i proteinave kërkon shumë energji për tu përpunuar. Plus, kulturat probiotike të gjetura në kos ndihmojnë në rregullimin e traktit tuaj të tretjes.

Specat djegës
Jalapenos dhe specat e kuq djeges (cayenne) përmbajnë kapsinë, e cila përkohësisht stimulon trupin tuaj për çlirimin e hormoneve të stresit për orë të tëra pasi t'i keni konsumuar specat, duke përshpejtuar ritmin e zemrës dhe metabolizmin tuaj.


Brokoli
Brokoli përmban një grup shumë efektiv për nxitjen e metabolizmit të kalciumit dhe vitaminës C. Kalciumi vepron si një ngacmues metabolik, ndërsa vitamina C ndihmon trupin tuaj të përthithë më shumë kalcium. Në vetëm 20 kalori për filxhan, kjo super ushqim lufton yndyrën dhe gjithashtu përmban fitokimikate të fuqishme që ndihmojnë në ndërtimin e imunitetit.

Bollgur
Bollguri renditet shumë lartë në listën e karbohidrateve të mira. Për shkak se trupi juaj ka nevojë për kohë të gjatë për të shpërbërë yndyrën e fibrave të tretshme, bollguri e bën stomakun të ndihet i plotë dhe ju jep energjinë që ju nevojitet për të qëndruar aktiv.

Qitro
Shumë njerëz kanë dëgjuar për dietën e qitros, por jo shumë besojnë se është e vërtetë. Studiuesit kanë zbuluar se ngrënia e një gjysmë qitroje në çdo vakt nxit metabolizmin. Qitroja përmban vitaminë C e cila redukton nivelet e insulinës së trupit që nxit humbjen e peshës.


Çaj jeshil
Çaji jeshil është burimi kryesor i EGCG. Ky antioksidant i shëndetshëm përshpejton funksionimin e trurin tuaj dhe sistemin nervor, duke bërë që trupi juaj të djegë më shumë kalori.

Bajame
Acidet yndyrore esenciale në bajame ndihmojnë në rritjen e metabolizmit të trupit tuaj. Vetëm mos e teproni dhe kujdes me marrjen e kalorive.

Kafe
Kafeja ka kafeinë, e cila ju jep një nxitje. Vetëm sigurohuni që mos të kaloni 2 ose 3 kafe në ditë.

Ujë
Studime të ndryshme kanë treguar se pirja e ujit gjatë gjithë ditës mund të rrisë metabolizmin e trupit. Uji është gjithashtu një ndalues natyror oreksi që ul fryrjen e stomakut dhe nxjerr jashtë natriumi dhe toksina. Pirja e ujit do t'ju ndihmojë gjithashtu te kuptoni gabimin e ndryshimit të etjes nga uria. Sigurohuni që ta filloni ditën me një gotë të madhe të ujit dhe të hidratoheni gjatë gjithë ditës.

Molla
Ashtu si qitro, ky frut me kalori të ulëta permban shumë fibra, të cilat trupi juaj i duhen për të djegur kaloritë. Plus, mollët ju ndihmojnë të qëndroni të ngopur për më shumë, pra ju do të konsumoni më pak.

Spinaqi
Popeye kishte të drejtë në lidhje me një gjë: spinaqi mund t'ju bëjë të fortë dhe të shëndetshëm. Përveç përshpejtimit të metabolizmit tuaj, është një burim i madh i antioksidantëve, magnezit, kaliumit, hekurit dhe vitaminës C.

Fasule
Me nivel të ulët yndyrnash dhe të pasura me proteina, fasulet ju mbajnë të ngopur për periudha të gjata, dhe trupi juaj ka nevojë për të djegur kalori shtesë për të përpunuar këtë ushqim të pasur me fibra.


Kanellë
Pak kanellë mund të bëjë shumë punë. Shtoni pak në çajin tuaj për të ndihmuar trupin  të metabolizojë sheqernat në mënyrë më efektive dhe të mbani nivel të qëndrueshëm të sheqerit në gjak.


Kur duhet të hani
Konsumi i ushqimeve që nxisin metabolizmin tuaj janë më efektive sapo të zgjoheni në mëngjes. Natyrisht, metabolizmi ngadalësohet gjatë gjumit. Kur zgjoheni, trupi ka nevojë përsëri për ushqim. Nëse hani ushqime që nxisin metabolizmin për mëngjes, trupi juaj do të djegë në mënyrë efikase kaloritë që merr gjatë gjithë ditës.

Sa shpesh duhet të hani
Mbajeni në lëvizje metabolizmin sa herë që hani. Nëse konsumoni vakte të mëdha kur jeni të uritur, trupi juaj do të përpiqet të ruajë sa më shumë lëndë ushqyese të jetë e mundur në formën e yndyrës. Kjo është për shkak se trupi juaj vepron sikur nuk do të ushqehet përsëri për një kohë të gjatë. Nëse hani sasi të vogla gjatë gjithë ditës, trupi juaj do të ndjehet i lirë të përthithë atë që hani dhe të mos ndjejë urgjencën për të depozituar sa më shumë yndyrë. Mundohuni të hani të paktën gjashtë vakte të vogla në ditë, të përbëra nga shumë prej ushqimeve që mund të ndihmojnë në rritjen e metabolizmit tuaj.

Wednesday, August 16, 2017

Qumështi i bajames, si ta përgatisim në shtëpi

Qumështi i bajameve është zëvendësim popullor për qumështin e lopës. Bëhet nga bajamet e bluara të përziera me ujë, përmban pak kalori dhe yndyra.

Përparësitë e qumështit të bajameve

Qumështi i bajameve është zgjidhje e shkëlqyeshme për të gjithë ata që vuajnë nga intoleranca në laktozë sepse nuk përmban fare laktozë. Qumështi i bajameve nuk përmban as sojë dhe as kazeinë (proteine qumështore e ngjashme me glutenin), i shkëlqyeshëm edhe për ata që janë alergjik ndaj sojës dhe glutenit.
Përmban pak yndyrna dhe kalori, është i pasur me vitamina esenciale dhe minerale, prandaj është zëvendësues i shkëlqyeshëm i qumështit të lopës nëse dëshironi të humbisni kilogramët e tepërt.
Nuk përmban acide të ngopura yndyrore dhe kolesterinë, por përmban acide yndyrore omega-3, të rëndësishme për zemrën. Është burim i mirë i proteinave.

Bajamet përmbajnë vitaminë E, mangan, selen, magnez, kalcium, zink, hekur, fibra, fosfor dhe kalcium. Flavonoidet nga qumështi i bajameve reduktojnë rrezikun nga krijimi i kancerit dhe parandalojnë krijimin e shenjave të parakohshme të plakjes. Vitamina E tek bajamet, e cila është antioksidant i fuqishëm, mbron qelizat nga dëmtimet dhe parandalon arteriesklerozën. 

Ja si të bësh qumësht bajamesh në shtëpi

Përbërësit
1 filxhan bajame organike të gjalla
2 filxhan ujë, plus ujë për banjomarinë
Mund të përdorësh mjaltë për t’a ëmbëlsuar sipas dëshirës
Pajisjet
Tas
Sitë kulluese
Filxhan
Blender
Napë
Përgatitja
  1. Fut bajamet në ujë për 12 orë deri në 2 ditë. Vendos bajamet në tas dhe mbuloji me ujë. Ato do të fryhen teksa thithin ujin. Lëri të qëndrojnë dhe mbuloji me një napë gjatë natës, ose futi në frigorifer për 2 ditë. Sa më shumë të rrinë në ujë, aq më kremoz do të jetë qumështi.
  2. Kulloji dhe shpëlaji bajamet. 
  3. Fut në blender bajamet dhe 2 filxhan me ujë.
  4. Miksoji në blender për 2 minuta. Bajamet do të copëzohen dhe uji do të bëhet i bardhë.
  5. Kulloji në sitë bajamet. Bajamet në napë vëri mbi një sitë të kullojnë sipër një filxhani. Miksimin e bërë vendose në sitën kulluese.
  6. Shtype mirë napën. Shtrydhe napën derisa të dalë sa më shumë qumësht që të jetë e mundur. Duhet të dalin diku te 2 filxhanë.
  7. Ëmbëlsoje. Nëse e do më të ëmbël qumështin mund t’i shtosh mjaltë.
  8. Fute në frigorifer. Ruaje qumështin në frigorifer deri në 2 ditë.






Saturday, July 29, 2017

Lajthia, të mirat shëndetësore

Lajthia si një bimë e herëshme në kontinentin aziatik dhe atë evropian ka bashkëjetuar në simbiozë për mijëra vjet me njeriun. Druri i saj u ka sherbyer njerëzve për të bërë strehat apo shtëpitë e tyre, veglat e punës, për gjueti, mjetet e luftimit, ndërsa fruti si ushqim për njeriun, dhe gjethja një ushqim i mirë për bagëtinë.


Bima e lajthisë, që kur njeriu nisi ta kultivojë, është shfrytëzuar më shumë padyshim për vlerat e frutit të saj, si ushqim. Kokrrat e lajthisë përmbajnë disa lëndë ushqimore që janë tepër jetike për shëndetin dhe zhvillimin e trupit të njeriut si: 

  • Proteina, karbohidrate, beta-sitosterol, vitamina, kripëra minerale dhe antioksidantë. 
  • Përmbajnë vitamina B kompleks. 
  • Ka përmbajtje te lartë mineralesh si kalcium, zink, kalium, hekur dhe mangan. 

Ngrënia e 100 gram kokrrave mund të sigurojnë 328 kalori. Sipas një hulumtimi, lajthitë përmbajnë 20 herë më shumë antioksidantë se Vitamina C dhe 50 herë më shumë se Vitamina E! 


Proteina është materiali bazë i përdorur për prodhimin e qelizave të indeve të muskujve dhe kjo është një nga përfitimet më të rëndësishme të lajthisë. Trupi i njeriut gjithashtu kërkon yndyrë edhe pse në sasi të moderuar dhe lajthia përmban yndyrë omega e cila është e rëndësishme për shëndetin e individit. 

Vaj i lajthisë është i njohur edhe si mbrojtës për lëkurën nga rrezatimi ultravjollcë dhe për këtë arsye është përdorur në shumë produkte kremrash solar.Vaji i lajthisë ka një efekt shumë relaksues dhe qetësues në lëkurë dhe është gjithashtu i njohur edhe për vetitë e tij të shkëlqyera hidratuese.

Lajthia është përdorur e bluar për miell për të bërë bukë ose në industrinë ushqimore për biskotat e ndryshme. Kokrrat e saj në formë paste dhe të përziera me kakao bëhen çokollata të ndryshme, nga më të shijshmet e më të mirat. 

Parandalon aneminë në gratë shtatëzana si dhe defektet nervore tek foshnjat. Lajthia është shumë e pasur me Foletë(Acid Folik) ose vitaminë B kompleks dhe vitaminë E. Këto parandalojnë shpërbërjen e qelizave të kuqe të gjakut si dhe forcojnë sistemin imunitar.

Parandalon atakun e zemrës. Lajthitë janë të pasura me yndyrna të pangopura të cilat janë jashtëzakonisht të dobishme për zemrën. Acidi oleik që ndodhet në lajthi ul kolesterolin e keq dhe ngre kolesterolin e mirë në gjak. Konsumimi i rregullt i lajthive ul kolesterolin me 27%. 

Përmirëson funksionimin e sistemi nervor. Lajthitë janë të pasura me vitaminë B6, e cila ndikon në shpejtësinë dhe efikasitetin e impulseve elektrike, duke bërë të mundur sistemin nervor të funksionojë si duhet. Një dietë me lajthi përmirësojnë shëndetin në moshat e thyera, përmirësojnë kujtesën dhe pengojnë ankthin. 

 Parandalon mbipeshën. Lajthitë janë stimuluese të mëdha për metabolizmin në trupin e njeriut. 

Përmirëson shëndetin e lëkurës dhe flokëve. Përmbajtja shuma e lartë e vitaminës E në lajthi mund të kontribuojë në ruajtjen e një lëkure dhe flokë të shëndetshme, sepse përmirëson lagështinë e rrit elasticitetin. 

Thursday, July 27, 2017

Limoni, thesari që kuron sëmundjet

Limoni është një prej agrumeve të Mesdheut plot shije e aromë, me ngjyra të gjalla, i jashtëzakonshëm në vlera dhe i gjithëanshëm në përdorim. 

Me gjelbërim të përhershëm e lule të bardha, limoni është pema që zbukuron kopshtet dhe ballkonet tona, por më e rëndësishmja, kjo pemë e preferuar i sjell njeriut shumë dobi shëndetësore duke e mbrojtur nga një numër shumë i madh sëmundjesh, pasi vepron si antibiotik natyral në organizmin e tij.
Si rritet pema e limonit
Pema e limonit, pëlqen klimën e butë dhe në varësi të vendit ku është mbjellë, një pemë e rritur limoni mund të japë 200 deri 1500 kokrra në vit. Varietetet e kultivuara lulëzojnë në periudha të ndryshme, prandaj limonët mund të vilen gjatë gjithë vitit.
Nuk mund të mos përmendim zonën e Rivierës Shqiptare, ku pemët e limonit janë mbjellë nëpër brezaret në shpatet e kodrave, nga ku thithin rrezet e diellit dhe prodhojnë limonë me lëng e aromë të mrekullueshme, duke e bërë edhe më të bukur bregdetin tonë mahnitës.
Për të rritur një pemë limoni, nuk ka nevojë për hapësirë. Ajo rritet lehtësisht edhe në ballkon, në një vazo, sepse është bimë dekorative shumë e këndshme. Limoni kërkon vend me diell e që nuk e rreh era, prej ku mund të marrë ngrohtësinë që i duhet. Megjithatë, nëse në dimër temperatura bie ndjeshëm, pema e vogël e limonit duhet mbuluar ose duhet futur brenda.

Vlerat ushqyese dhe shëndetësore të limonit
Nga të gjitha agrumet, frutat e limonit kanë vlera dhe veti të mrekullueshme për organizmin e njeriut. Frutat e limonit përmbajnë Vitaminë C, vitaminat e grupit B, karoten ose vitamina A, P, kripëra minerale, kalcium, kalium, hekur, magnez, mangan, fosfor, sheqer e acid citrik si dhe vaj esencial eterik në lëkurën e tij, i cili ka veti antitoksike. Prania e lartë e vitaminës C dhe flavonoideve në frutin e limonit i jep atij veti mjekësore antiseptike me efekte shëruese mjaft të veçanta, dhe e bën antioksidant shumë të rëndësishëm për pastrimin e organizmit nga radikalet e lira si dhe rritjen e sistemit imunitar.
Në 100 ml lëng limoni ka afërsisht 50 miligramë vitaminë C, e cila është rreth 60-70% e sasisë ditore të vitaminës C të rekomanduar për organizmin e njeriut, 7% të nevojave ditore të kaliumit, 1%  kalcium dhe 9% të magnezit.
Limoni është tretës i mirë për stomakun, ka veti diuretike, antipiretike, rrudhëse, dezinfektuese, tonifikuese, antikancerogjene, tretës ideal i yndyrnave, etj. Limoni ndikon në parandalimin e infarkteve, ngadalëson plakjen, mban të shëndetshëm dhëmbët si dhe duhet të theksojmë efektet e tij kundër anemisë dhe kjo i atribuohet sasisë së madhe të vitaminës C e cila favorizon përthithjen e hekurit nga organizmi, duke lehtësuar formimin e rruazave të kuqe.

Përdorimet e limonit
Lëngu i limonit përdoret për përgatitjen e limonadave, pijeve freskuese, apo pijeve të tjera me bazë limoni. Me limonin e prerë në feta ne i japim shije çajit të pasdites, sallatës së frutave dhe gatimeve tona të çdo dite, e përdorim pafund në fushën e kulinarisë, si për mishin, peshkun, sallatat, apo ëmbëlsirat.
Lëngu i limonit i pastër apo i kombinuar me përbërës të tjerë përdoret për të marinuar mishin para përgatitjes. Acidi, i cili gjendet në lëngun e limonit hidrolizon fibrat e kolagjenit të fortë të mishit duke e bërë më të shijshëm gjatë konsumimit. Peshqit i spërkasim me lëng limoni për t'iu neutralizuar aromën.
Me lëngun e limonit në mëngjes shoqëruar edhe me 1 lugë mjaltë, ne fillojmë ditën shëndetshëm dhe plot energji.
Nga lëkura e limonit nxirret një vaj esencial, i cili përdoret në industritë ushqimore, farmaceutike, kozmetike etj.
Në vend të një solucioni me klor për të hequr njollat, ne fare mirë mund të përdorim lëngun e limonit kombinuar me pak sodë buke.
Gjithashtu, një gjysmë limoni në frigorifer, mikrovalë, a në lavastovilje, neutralizon erërat e pakëndshme dhe përhap aromë të freskët.